Nga Fatmir Kazazi – Konsulent Fiskal
Me kërkesë të disa shoqatave biznesore dhe të disa bizneseve të mëdha, të mesme dhe të vogla, por edhe nisur nga diskutimet e shumta në media dhe në rrjetet sociale, do të doja të jepja opinionin tim për trajtimin tatimor të bizneseve të vogla, veçanërisht lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar ndaj këtyre bizneseve.
Ky opinion paraqet gjykimin tim të pavarur, të bazuar në një eksperiencë pune rreth 20-vjeçare në Ministrinë e Financave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, si dhe në mbi 10 vjet punë të mëpasme, si konsulent i pavarur për biznese të të gjitha niveleve, përfshi bashkëpunime të shumta me institucione ndërkombëtare (si Banka Botërore, USAID, BE, UNDP, IBFD IOTA, etj.,) ekskluzivisht për probleme tatimore, ku kam patur mundësinë të ndaj eksperienca që aplikohen në vende më të zhvilluara apo me nivel të ngjashëm zhvillimi me vendin tonë.
Dëshiroj të theksoj që në fillim se, në mbarë botën, por sidomos në vendet në zhvillim, në tranzicion drejt një ekonomie të konsoliduar tregu apo në vendet me nivel të lartë informaliteti dhe me traditë dhe kulturë të dobët taksapaguese, nuk ka ndonjë “zgjidhje apo praktikë perfekte” për taksimin e biznesit të vogël dhe është tepër e vështirë të adresohen të gjitha problemet dhe të arrihet në formulimin dhe sidomos zbatimin e një sistemi tatimor të drejtë/perfekt. Zgjidhjet më të mira, por asnjëherë perfekte, kanë qenë ato që kanë konsideruar dhe kombinuar drejt vendosjen e rregullave të thjeshta dhe të kuptueshme për shumicën e tatimpaguesve, me një barrë administrative dhe fiskale të përballueshme, dhe me kapacitetet edukuese, kontrolluese dhe shtrënguese të administratës tatimore për të garantuar zbatimin e drejtë të ligjit.
Sistemet tatimore përmbajnë elemente lehtësuese të procedurave administrative dhe të ngarkesës fiskale, çka u mundëson bizneseve të vogla regjistrimin dhe përmbushjen e detyrimeve tatimore me kosto minimale; por këto lehtësi duhet të përfitohen nga bizneset realisht të vogla, jo të kthehen në mjete dhe forma ligjore që ndihmojnë evazionin fiskal, informalitetin dhe korrupsionin. Të gjithë e pranojnë se informaliteti në Shqipëri është shumë i lartë (nga burime të pavarura llogaritet në rreth 40-50%) dhe, së bashku me korrupsionin, ka qenë dhe mbetet shqetësim kryesor i çdo qeverie, i institucioneve ndërkombëtare, i bizneseve të ndershme, i shoqërisë civile dhe popullatës në përgjithësi.
Siç edhe është konstatuar nga shumë shoqata biznesi apo entitete të pavarura, informaliteti në ekonominë shqiptare shfaqet në shumë forma, si:
- biznese tërësisht të paregjistruara për qëllime fiskale (kryesisht biznese të vogla apo edhe të mesme në fushën e tregtisë, prodhimit, ndërtimit, grumbullimit dhe shërbimeve, tregtisë on-line, etj.);
- biznese të cilat janë regjistruar si biznese të vogla (formalisht me xhiro vjetore nën 5 ose nën 8 milion lekë), por që në fakt e fshehin një pjesë të blerjeve, shitjeve dhe fitimeve;
- biznese të mesme dhe relativisht të mëdha që nuk deklarojnë plotësisht blerjet dhe shitjet në sasi dhe në vlerë, numrin e punonjësve, nivelin e pagave, etj.
Përtej dëmeve direkte që këto biznese shkaktojnë në të ardhurat buxhetore, akoma më i madh është dëmi dhe presioni që këto biznese ushtrojnë ndaj bizneseve të rregullta, pasi nuk pranojnë blerje dhe shitje me fatura të rregullta, duke dëmtuar konkurrencën e ndershme dhe duke detyruar edhe shumë biznese formale që të manipulojnë dokumentacionin dhe format e tregtisë për t’iu përshtatur atyre.
Të gjithë janë të një mendjeje se ekonomia informale shoqërohet me shumë pasoja negative për vendin, meqë:
- frenohen investimet direkte, vendase dhe të huaja, për shkak të pasigurisë dhe mosgarantimit të një konkurrence të drejtë;
- pengohet kryerja e funksioneve rregulluese dhe të mbikëqyrjes nga ana e shtetit;
- nuk sigurohet mbrojtja e të drejtave të konsumatorit në lidhje me cilësinë e produkteve që i ofron ekonomia informale;
- nuk sigurohet mbrojtja e të drejtave të punonjësve;
- dëmtohet kultura e biznesit të ndershëm dhe popullatës nëpërmjet “familjarizimit” dhe përfshirjes në informalitet;
- nxitet dhe ushqehet korrupsioni;
- krijohet truall i përshtatshëm për krime ekonomike dhe sociale dhe aktivitete të tjera të paligjshme, etj.
Megjithëse këto fakte konstatohen dhe pranohen nga të gjithë dhe, që situata nuk përmirësohet, që informaliteti, evazioni fiskal dhe korrupsioni nuk po luftohen si duhet, fajësohen politikëbërësit, qeveria, tatimet, doganat, etj., të çdo kohe gjatë 20 – 25 vjetëve të fundit, por kur vjen puna për të diskutuar masa konkrete apo paketa masash që do të mundësonin përmirësimin e situatës, opinionet politizohen dhe trajtohen me një ekstremizëm politik të pajustifikueshëm, që shkel edhe çdo parim apo gjykim normal teknik, juridik dhe biznesor të situatës.
Dëshiroj të theksoj se, nëpërmjet këtij shkrimi, nuk pretendoj se mund të ofroj ndonjë zgjidhje, pasi kam bindjen se adresimi i problemit kërkon marrjen e shumë masave nga ana e Ministrisë së Financave dhe organeve tatimore, si edhe mirëkuptim dhe konsensus me shoqatat e bizneseve dhe me tatimpaguesit; prandaj thjesht dua të kontribuoj sado pak në shkëmbimin e opinioneve të pavarura profesionale që po qarkullojnë për këtë problem.
Le të shohim në vijim si paraqitet situata e tatimpaguesve biznesorë në Shqipëri, duke u fokusuar kryesisht në biznesin e vogël që ndikohet më shumë nga ulja e kufirit të TVSH-së.
Aktualisht në Shqipëri ka rreth 110.000 tatimpagues aktivë (që janë të regjistruar dhe ushtrojnë aktivitet), nga të cilët rreth 37.000 janë tatimpagues të regjistruar në TVSH dhe rreth 73.000 bisnese të vogla.
Nga të dhënat formale, rreth 70-80 % e rreth 73.000 bizneseve të vogla kanë një xhiro të deklaruar për më pak se 2 milion lekë në vit, që me një llogaritje të përafërt me rreth 300 ditë pune në vit, përkthehet në një xhiro ditore prej 6-7 mijë lekë.
Nga diskutimet e shumta me shoqatat e biznesit, me biznese të veçanta të të gjitha niveleve apo bazuar në anketime dhe studime të ndryshme nga ente të besueshme, rezulton se shumë biznese të vogla, nuk pranojnë fatura blerjesh (preferojnë të blejnë pa faturë dhe të paguajnë në cash) si dhe nuk lëshojnë rregullisht faturën e shitjes ose kuponin fiskal, në mënyrë që të “mbeten me çdo kusht” tatimpagues të biznesit të vogël, duke mos u regjistruar në TVSH dhe duke gëzuar përjashtimin nga tatim-fitimi.
Nisur nga këto “lehtësi fiskale”gjithashtu shumë ish-punonjës të kompanive preferojnë të regjistrohen si biznes i vogël dhe të faturojnë kompaninë (punëdhënësin), duke gëzuar përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat dhe duke shmangur tatimin progresiv mbi pagën.
Është e vërtetë që bizneset e vogla kanë peshë relativisht të ulët në të ardhurat buxhetore, por ka dy elementë shumë të rëndësishëm për t’u konsideruar, pasi dëmi indirekt që i krijohet buxhetit dhe ekonomisë është shumë më i lartë. Këto dy elemente janë:
- Në terma shumë të përafërt, mendohet që rreth 50% e bizneseve të vogla realisht nuk janë të tilla, pasi faktikisht e tejkalojnë kufirin e xhiros, por pa e raportuar. Gjithkush e sheh qartë këtë në blerjet e përditshme të mallrave dhe shërbimeve, nëse vlerësohet niveli dhe korrektësia e lëshimit të kuponëve fiskalë (në vlerën dhe formatin e miratuar nga Ministria e Financave) dhe
- Presioni që këto biznese ushtrojnë mbi bizneset e mëdha të rregullta duke mos pranuar fatura, përsëri ushqen informalitetin, evazionin dhe korrupsionin, nga të gjitha palët.
Të dy elementet e mësipërme arrijnë vlera financiare të konsiderueshme, përveç dëmeve shumë të mëdha afatgjata në përkeqësim të kulturës biznesore dhe edukatës fiskale. Pra, në një farë mënyre, sistemi aktual i taksimit të biznesit të vogël ka kontribuar në krijimin e hapësirave dhe mundësive për shmangie tatimore dhe evazion fiskal.
Fenomenin e mësipërm e ka stimuluar ndjeshëm edhe fakti që autoritetet tatimore nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur edukimit, asistencës dhe kontrollit të aktiviteteve të biznesit të vogël, për shkak të numrit të madh të tatimpaguesve formalisht biznese të vogla, me të ardhura tatimore formalisht të ulëta dhe me mungesë të një sistemi eficient të analizës së riskut, në mënyrë që të përzgjidheshin, kontrolloheshin dhe të regjistroheshin si tatimpagues TVSH-je ato biznese që realisht e tejkalojnë kufirin e xhiros.
Pra është e qartë se niveli i informalitetit, shmangieve dhe evazionit fiskal është i lartë në shumë biznese formalisht të regjistruara si biznese të vogla, por që në realitet janë të mëdha. Është gjithashtu e qartë se, edhe me kufirin aktual të regjistrimit, shumë prej bizneseve të vogla duhej të ishin regjistruar në TVSH, por mungesa e informacionit dhe sidomos e kapaciteteve eficiente për marrjen dhe e përdorimin e duhur të informacioneve nga administrata tatimore ka bërë që informaliteti të marrë përmasat e tanishme.
Në kushtet kur tatimpaguesit dhe administrata e kanë të pamundur zbatimin e drejtë të sistemit aktual, del e domosdoshme që ky sistem të ndryshohet dhe të përmirësohet me synime kryesore:
- Uljen e informalitetit,
- Garantimin e konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e bizneseve të rregullta,
- Eliminimin e mundësisë së regjistrimit të disa “bizneseve të vogla” nga të njëjtët persona, me qëllim shmangien e ngarkesës tatimore,
- Përmirësimin e shërbimit ndaj tatimpaguesit,
- Përmirësimin e evidencës dhe kontrollin e kryqëzuar të informacioneve, me synim evidentimin e saktë të xhiros reale dhe zgjedhjen për kontroll bazuar në analizën e riskut,
- Mbrojtjen e bizneseve realisht të vogla,
- Rritjen e të ardhurave tatimore.
Problemi kyç që vështirëson zgjidhjen e problemit është evidentimi i bizneseve realisht të vogla, të cilët duhet të mbrohen dhe të përfitojnë lehtësi procedurale dhe tatimore, përfshi mosregjistrimin si tatimpagues TVSH-je.
Një klasifikim i bizneseve të vogla sipas natyrës së aktivitetit mund të ndihmojë në evidentimin e tatimpaguesve realisht të vegjël:
a) ambulantët, artizanët, prodhuesit e vegjël si furra buke në fshatra, përpunues të produkteve bujqësore dhe blegtorale, të vetë-punësuar në shërbime artizanale dhe profesionale si berberë, orëndreqës, këpucarë, rrobaqepës, riparues pajisjesh elektroshtëpiake, mini servise automjetesh, parkingje, hidraulikë, muratorë, elektricistë, shërbime pastrimi, turizëm familjar sezonal, dyqane ushqimore në fshatra,etj. Është relativisht e lehtë që ky grup mikrobiznesesh të evidentohet dhe t’i ofrohen lehtësitë e përjashtimit nga TVSH-ja dhe nga tatim-fitimi. Këto biznese mund të trajtohen vetëm me një taksë fikse minimale dhe me procedura licencimi shumë të thjeshta. Kriteri që mund të aplikohet për regjistrimin e këtyre bizneseve në TVSH mund të jetë vetëm xhiroja vjetore mbi 2 milion lekë.
b) Njësi tregtare (dyqane) për shitje mallrash me shumicë dhe pakicë. Është provuar se për këtë grup është e vështirë të bëhet matja e saktë e xhiros dhe mendohet apo gjykohet se ka një numër të konsiderueshëm tatimpaguesish që duhet të ishin tatimpagues TVSH-je edhe me ligjin aktual. Faktet tregojnë që kufiri prej 5 milion xhiro vjetore ka qenë i pamenaxhueshëm. Në këto kushte, për këtë grup ose duhet të hiqet kufiri (siç është bërë aktualisht me profesionet e lira) ose duhet të vihet një kufi më i ulët (p.sh. 2 milion lekë), i kombinuar edhe me një kriter të dytë, siç mund të jetë numri i të punësuarve. P.sh. njësitë tregtare që kanë xhiro vjetore më të lartë se dy milion lekë ose kanë më shumë se dy të punësuar (përfshi personin e vetë-punësuar) duhet të regjistrohen në TVSH.
c) Hotele, bare, restorante me aktivitet të përhershëm. Edhe për këtë grup ka dy opsione: kufiri i regjistrimit në TVSH të jetë 0 ose kufiri të jetë 2 milion i kombinuar me numrin e të punësuarve (tregues lehtësisht i kontrollueshëm). Argumentimi është i njëjtë si për grupin (b) më lart.
d) Profesione të lira, si mjekë, dentistë, arkitektë, ekonomistë, juristë, avokatë, noterë, inxhinierë etj., të cilët aktualisht e kanë 0 kufirin e regjistrimit në TVSH (pra janë të regjistruar në TVSH, pavarësisht nga xhiroja).
e) Të tjera shërbime, si transport mallrash dhe udhëtarësh, agjenci imobiliare, agjenci transporti, etj., të cilat gjithashtu mund të trajtohen si grupi (a) më lart, pra kriter për regjistrimin e tyre në TVSH të jetë xhiroja vjetore prej 2 milion lekësh.
Pra problemi kyç reduktohet në tatimpaguesit e përfshirë në grupet (b) dhe (c) më lart për të gjykuar nëse:
- Do të përfshihen të gjithë në skemën e TVSH-së, pra kufiri i regjistrimit të jetë 0, apo
- Do të vendoset kufiri prej 2 milion lekë xhiro vjetore i kombinuar me numrin e të punësuarve, duke konsideruar kështu biznes të vogël vetëm atë biznes që ka xhiro nën 2 milion lekë dhe nuk ka më shumë se dy të punësuar (përfshi personin e vetë-punësuar ose anëtarin e papaguar të familjes).
Në të dyja rastet mendoj se administrata tatimore duhet bëjë riorganizime (me burimet që lirohen nga deklarimet on-line dhe marrja e vërtetimeve on-line nga tatimpaguesit), në mënyrë që të aktivizojë sa më shumë qendra të shërbimit ndaj tatimpaguesve në të gjithë vendin dhe të ofrojë falas shërbimet e deklarimeve tatimore, përfshi përgatitjen e librave dhe deklaratave të TVSH-së. Tatimpaguesit mund të paraqiten në këto qendra dhe të marrin falas konsulencën dhe shërbimin e deklarimit, duke paraqitur dokumentacionin origjinal (faturat e blerjes dhe të shitjes). Sigurisht përgjegjësia për dokumentacionin e paraqitur i takon tatimpaguesit.
Kufiri prej 2 milion lekë xhiro vjetore i regjistrimit në TVSH mendoj është brenda parametrave të përdorur edhe në vendet e BE, ku kufiri i regjistrimit në TVSH varion mesatarisht nga 1-5 milion lekë, por ka edhe vende që e kanë 0 kufirin e regjistrimit në TVSH për shumë aktivitete ekonomike.
Shumë diskutime rreth këtij problemi në media përqendrohen në efektin e regjistrimit në TVSH në rritjen e çmimeve, madje shpesh përdoret edhe niveli “20% rritje”. Mendoj që kjo është e gabuar, pasi çmimet i vendos tregu dhe, sigurisht, një biznes i vogël tregtar që do të futet në TVSH dhe do të lëshojë faturën e shitjes ose kuponin e kasës fiskale me TVSH, patjetër që do ta zbresë TVSH-në e faturave të blerjes. Aritmetikisht mund të llogariten rritje të vogla çmimi, por, nuk mendoj se ato do të përbëjnë arsye thelbësore për mbylljen e bizneseve. Siç edhe rezulton nga deklarimet formale të xhiros, vlerat e mallrave dhe shërbimeve që u shiten konsumatorëve nga bizneset e vogla kanë peshë mjaft të ulët në totalet e shitjeve/konsumit. Fakti që informaliteti është i lartë nuk përbën argument për ta ruajtur këtë informalitet, pasi çmimet e aplikuara prej tij janë disi më të ulëta, kur dihen qartë dëmet që informaliteti i shkakton ekonomisë. Në të vërtetë, ato që humbasin nga formalizimi dhe aplikimi i TVSH-së janë bizneset që kanë fshehur xhiron. Fakti që të tilla biznese do të kenë rënie të fitimeve, nuk është arsye që të ruhet informaliteti.
Në opinionin tim, ndikimet që masat e mësipërme do të kenë mbi konsumatorin janë të papërfillshme ose shumë afatshkurtër, krahasuar me përfitimet që do të ketë ekonomia dhe popullata nga formalizimi.
Suksesi i masave të mësipërme mendoj do të varet shumë nga:
- analizimi me kujdes i situatës nga Ministria e Financave dhe vendosja e rregullave të thjeshta dhe të qarta, të tilla që të kuptohen dhe të mund të zbatohen nga shumica e tatimpaguesve;
- ofrimi falas i sqarimeve në mediat e shkruara, në radio, televizione, fletëpalosje, rrjetet sociale; dhe i asistencës në zyrat e shërbimit të tatimpaguesve që duhet të mbulojnë të gjithë territorin;
- zbatimi i këtyre rregullave nga administrata tatimore me synim parësor edukimin dhe ndihmën për bizneset, jo penalizimin e aq më tepër mbylljen;
- dhënien e mesazheve të qarta se ligji dhe udhëzimet zbatohen njëlloj për të gjithë, dhe se përzgjedhja e tatimpaguesve për kontroll bazohet në analizën e riskut. Pra përzgjidhen për kontroll ata tatimpagues që, bazuar në informacione paraprake të analizuara nga administrata tatimore, rezultojnë me risk të lartë në fshehjen e tatimeve;
- dhënia e mesazheve të qarta se korrupsioni dhe evazioni tatimor dënohen konform ligjit;
- hartimi i planeve afatmesme dhe afatgjata lidhur me evidentimin e tatimpaguesve potencialë në shkallë vendi dhe shpërndarjen e drejtë të barrës tatimore. Tatimpaguesit dhe popullata në përgjithësi duhet të shohin që po shkohet drejt një shpërndarjeje të drejtë të ngarkesës tatimore dhe po respektohet parimi i barazisë;
- dhënia e mesazheve të qarta se tatimet e mbledhura përdoren drejt nga qeveria;
- hartimi i programeve afatgjata, përfshi programet shkollore, për të ofruar një edukatë të shëndoshë lidhur me sistemet tatimore, përdorimin e fondeve, etj.
Pra ndryshimi i kufirit të regjistrimit në TVSH, duhet të jetë pjesë dhe të kombinohet me marrjen e masave komplekse për uljen e informalitetit dhe të evazionit fiskal.
Në përfundim, do të ritheksoja se është e rëndësishme, veçanërisht për profesionistët dhe shoqërinë civile, që të shmangim gjykimet ekstremiste apo, në shumë raste, aritmetike; të cilat, pa shumë logjikë ekonomike, llogarisin rritje çmimesh e falimentime të supozuara. Përkundrazi, le të ndihmojmë dhe të mbështesim hartimin e dispozitave ligjore dhe rregullave zbatuese të drejta, që do të mundësojnë uljen e informalitetit, evazionit fiskal dhe korrupsionit, dhe mbrojtjen e bizneseve realisht të vogla, që sigurojnë të ardhura minimale dhe normale për mbajtjen e familjeve.